Aktualitet Politikë

Rama: Çdo person i prekur nga përmbytjet do të marrë dëmshpërblim!

Reshjet intensive të shiut deri më tani kanë përmbytur 13 211 ha tokë bujqësore dhe 1587 banesa. Bilanci u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, sot në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, nga ku garantoi çdo person të prekur se do të marrë dëmshpërblim.

Shefi i qeverisë tha se deri më tani janë evakuuar 339 vetë nga 51 familje.

Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të opozitës duke thënë se të gjithë hidrovorët ishin në punë dhe se para nisjes së sezonit me reshje u sigurua gatishmëria e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorëve dhe kanaleve të ujërave të larta.

Akuzave iu përgjigj me shifra. Rama tha se vetëm vitin e kaluar janë investuar 25 milion euro në infrastukturën e kullimit dhe këtë vit vetëm nga bashkitë është parashikuar një investim prej 11 milion eurosh, 8% më shumë se vjet.

Aleatët politikë të shiut që te çdo tërbim të natyrës, shohin forcën që do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë, pa pushim duke evaduar sasira të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë herë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve.

Para fillimit të sezonit me reshje, drejtoritë e ujësjellësit dhe kullimit kanë siguruar gatishmërinë e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorët, kanalet e ujërave të larta dhe të flotës prej 29 ekskavatorësh në drejtorinë qendrore.

Është bërë inspektimi i argjinaturave të lumenjve edhe digave të rezervuarëve. Dalja e ujit nga rrjedha natyrale dhe përmbytja për pika vulnerabël është e pashmangshme në cilindo vend të planetit.

Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, deri në 300 mm, ose thënë ndryshe, më shumë se sasia mesatare e reshjeve që bie gjatë gjithë muajit. Reshjet 30-ditore mesatare të janarit kanë rënë në një periudhë 4-ditore, një fenomen që po bëhet i papritur në të gjithë botën.