Aktualitet

50 objekte për t’u shembur, aksion i IKMT-së në aksin Hani Hotit – Shkodër!

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT ka nisur një aksion për prishjen e objekteve në aksin kryesor nga Hani Hotit drejt Shkodrës, për të bërë të mundur lirimin e kësaj rruge që është e Kategorisë C.

Sipas një vendimi të fundit të qeverisë, akset rrugore kryesore duhet të kenë një hapësirë të paktën prej 6 metër të lirshme në secilën anë dhe të gjitha objektet në këtë distancë duhet që të hiqen.

Si fillim, IKMT-ja evidentoi rreth 400 objekte në total në akset kryesore rrugore në Han i Hotit-Shkodër e në Shkodër-Paçram, në rrugën kombëtare që lidhet me Lezhën e Tiranën.

Sipas burimeve, rreth 350 objekte janë hequr në mënyrë vullnetare duke nisur nga dyqanet dhe deri te rrethimet e mureve të banesave apo ndërtesave të ndryshme. Tashmë kanë mbetur afro 50 objekte për të cilat IKMT-ja ka vendime e po bën ekzekutimin e tyre, teksa ka filluar aksionin për t’i prishur.

Fillimisht, fadromat shkuan në afërsi të Hanit të Hotit duke vijuar heqjen e këtyre objekteve gjatë gjithë këtij aksi kryesor rrugor, për të kaluar më pas në segmentin tjetër nacional, Shkodër-Paçram.