Prefektura e Qarkut Durrës publikoi raportin e përditësuar mbi situatën e krijuar nga reshjet e shiut, duke bërë të ditur se gjendja hidrike në territor po shkon drejt normalizimit dhe nuk janë raportuar problematika të reja orët e fundit.
Në Bashkinë Durrës, gjatë natës vijuan reshje me intensitet të ulët dhe mesatar, pa shkaktuar probleme në akset rrugore apo në lumenj.
Strukturat bashkiake dhe operacionale të emergjencave civile vijojnë monitorimin e pandërprerë në terren.
Në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është shënuar rënie e dukshme e nivelit të ujit. Deri më tani janë evakuuar gjithsej 848 banorë, janë mbajtur 1453 akte konstatimi dhe janë verifikuar 4067 banesa.
Grupet e punës janë në terren dhe rreth 508 specialistë do të vijojnë vlerësimin e dëmeve në ditët në vazhdim.
Nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore janë siguruar 1100 pako ushqimore, të shpërndara në disa zona të prekura.
Një pjesë e tyre janë dërguar në ambientet e Kavalishencës dhe Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme për qytetarët e strehuar, ndërsa pako të tjera janë shpërndarë në zonën e Durrësit të Ri (ish-Këneta), Plazh dhe Sukth.
Në zonat e Sukthit dhe Katundit të Ri raportohen rreth 2800 hektarë sipërfaqe të përmbytura.
Në Bashkinë Krujë, reshjet në zonën e Fushë-Krujës kanë qenë deri mesatare, pa krijuar probleme të reja apo prezencë uji në rrugët kryesore.
Inspektimet e mëngjesit kanë konfirmuar rënie të nivelit të ujit në lumenjtë Gjole dhe Zezë, ndërsa gjatë ditës së sotme grupet e punës do të vijojnë verifikimet e dëmeve në banesa.
Po ashtu, ka përfunduar puna për bllokimin e çarjes së argjinaturës së lumit Droje.
Në Bashkinë Shijak, situata paraqitet e qetë. Reshjet gjatë natës kanë qenë me intensitet të ulët dhe mesatar, pa raportime për problematika të reja.
Gjatë natës, nga strukturat e MZSH-së dhe shërbimet bashkiake është bërë pastrimi i 5 banesave dhe nxjerrja e ujit nga 2 banesa.