Bota

Kina bën bashkë Kimin e Putinin, asnjë lider amerikan dhe europian për paradën e 3 shtatorit!

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un do të udhëtojë në Kinë për herë të parë pas gjashtë vjetësh, për të marrë pjesë në një paradë ushtarake javën e ardhshme. Kim dhe homologu i Rusisë, Vladimir Putin do të jenë mesin e 26 liderëve të huaj që pritet të ndjekin paradën e 3 shtatorit në Pekin, për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe qëndresës së Kinës ndaj agresioneve të Japonisë gjatë luftës, referuar Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Ne e mirëpresim ngrohtësisht sekretarin e përgjithshëm Kim Jong Un në Kinë, për të marrë pjesë në aktivitetet përkujtimore, tha Hong Lei, zëvendësministër i jashtëm i Kinës, në një konferencë për shtyp.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, deklaroi se Kim do ta vizitojë Kinën me ftesë të presidentit kinez, Xi Jinping, për të marrë pjesë në festimet e 80-vjetorit të përfundimit të luftës.

Në mesin e të ftuarve të tjerë janë edhe liderët e Iranit, Bjellorusisë, Serbisë, Kubës, Indonezisë, Mianmarit, Pakistanit dhe Malajzisë. Asnjë drejtues nga Shtetet e Bashkuara apo vendet kryesore të Evropës Perëndimore nuk pritet të marrë pjesë, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve me Putinin mbi luftën në Ukrainë.

Në paradë pritet të shfaqen disa nga armët më të reja të Kinës e Xi do të mbajë fjalim. Prej kohës kur mori pushtetin pas vdekjes së babait të tij në dhjetor të vitit 2011, Kim është takuar me Xi-në, Putinin, presidentin amerikan Donald Trump, ish-presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in dhe të tjerë. Por këto takime kanë qenë dypalëshe dhe ai nuk ka marrë pjesë në aktivitete me liderë të huaj.

Kina është prej një kohe të gjatë partnerja më e madhe tregtare e Koresë së Veriut dhe furnizuesja kryesore e ndihmave, edhe pse vitet e fundit janë ngritur dyshime mbi marrëdhëniet mes tyre. Koreja e Veriut është përqendruar në zgjerimin e bashkëpunimit me Rusinë, duke dërguar trupa dhe municione për të mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë, në këmbim të ndihmave ekonomike e ushtarake.

Megjithatë, shumë analistë thonë se Koreja e Veriut pritet të ndërmarrë hapa për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Kinën, në mënyrë që ta ringjallë ekonominë e saj të dobësuar, sepse ka një kufi për atë që mund ta marrë nga Rusia dhe mbetet e paqartë nëse bashkëpunimi me Moskën do të vazhdojë me të njëjtin ritëm pas përfundimit të luftës në Ukrainë.