Bota

Trump: Amerika fitoi, por lufta kundër Iranit vazhdon!

Presidenti Donald Trump pretendon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë “fituar” luftën kundër Iranit, por që forcat ushtarake amerikane do t’i vazhdojnë sulmet derisa të përfundojë e gjithë puna.

Ndërkohë, Teherani vazhdon të godasë anije në rajon dhe zotohet për sulme të tjera.

Asnjëherë nuk parapëlqehet të thuhet shumë herët se fituam. Ne fituam. Qysh në orët e para, u shpreh Trump në një tubim të mbajtur në Kentaki.

Komentet e Trump-it e të Shtëpisë së Bardhë kanë qenë të ndryshme në ditët e fundit, që prej spekulimeve se lufta do të zgjaste katër deri në gjashtë javë, deri te mundësia që mund të përfundojë “shpejt”.

Trump ka thënë se sulmet amerikano-izraelite në Iran, që nisën më 28 shkurt, “virtualisht kanë shkatërruar” këtë shtet të Lindjes së Mesme, duke i vrarë një pjesë të konsiderueshme të lidershipit dhe duke i dëmtuar forcat e armatosura e programin bërthamor.

Megjithatë, presidenti dhe të tjerë në administratën e tij kanë dhënë sinjale se nuk do të lëshojnë pe kur vjen puna te sulmet.

Nuk duam të largohemi herët, apo jo? Na duhet ta përfundojmë punën, deklaroi Trump.

Izraeli e ka bërë të qartë se nuk është gati t’i japë fund fushatës ushtarake, përfshirë sulmet në Liban kundër forcave të Hezbollahut, aleatë të Iranit, duke thënë se “një mori shënjestrash” vazhdojnë të ekzistojnë.

Hezbollahu është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera.

Ne do ta zgjerojmë operacionin tonë, bëri të ditur zëdhënësi ushtarak izraelit, Effie Defrin.

Në orët e para të ditës së sotme, ushtria izraelite raportoi lidhur me “një valë të zgjeruar sulmesh në Teheran, çka janë njoftime pothuajse të përditshme në ditët e fundit.