Pavarësisht ngjarjeve të rënda të orëve të fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, Rusia do të lejohet të marrë pjesë në Eurovizionin e këtij viti, pavarësisht se ka nisur një sulm ushtarak ndaj vendit fqinj. Organizatorët e Eurovizion e cilësuan konkursin si një ngjarje kulturore jo politike dhe treguan se aktualisht po presin pjesëmarrësit nga Rusia dhe Ukraina, në muajin maj. Ata shtuan se:
Ne sigurisht që do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën.
Më herët, Rusia ishte kujdesur të kishte një shpërndarje të dezinformatave kundër Ukraniës për të penalizuar pjesëmarrjen e tyre, teksa këta të fundit kanë kërkuar pezullimin e Rusisë. Drejtuesit e Eurovizion kanë treguar se janë duke parë çdo ngjarje me imtësi edhe në ditët në vijim.

Ndërkaq, ju sjellim në vëmendje se mediat e huaja raportuan së fundmi se Alina Pash, këngëtarja ukrainase që përfaqëson vendin e saj në “Eurovison Song Contest”, është pezulluar nga konkurrimi. Sipas, ‘BBC’, transmetuesi kombëtar i Ukrainës, ndërmori veprimet pasi u zbulua se autoritetet po hetojnë një udhëtim që ajo bëri në Krime në vitin 2015, një zonë që Rusia mori nën kontroll në 2014.
Ekzistojnë rregulla strikte të udhëtimit në fuqi për mënyrën se si njerëzit hyjnë në Krime. Nuk është e paligjshme për ukrainasit që të vizitojnë, por kjo nuk pritet mirë dhe sjell zemërim. Ndërkohë, Alina u ka ofruar autoriteteve prova se si ajo hyri në rajon, por kjo tani është duke u shqyrtuar. Kjo do të thotë se rrugëtimi i saj në Eurovizion është në pritje ndërsa ajo pret për rezultatin.
Për momentin, Alina u shpreh se disa nga miqtë e saj tashmë janë në frikë dhe i kanë gati çantat për t’u larguar:
Artistët si unë duan të krijojnë diçka të mirë por ne po jetojmë në këtë realitet. Ne do të reagojmë, ne nuk do të vrapojmë.