Rajoni

A do të paraqitet Albin Kurti në Prokurori?

Sot në orën 10:00, kur kryeministri i Kosovës është urdhëruar të japë dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ai pritet të marrë pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti fëmijësh në qytetin e Gjilanit, siç ka paralajmëruar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës nëse Kurti do t’i përgjigjet urdhrit, por nuk ka marrë përgjigje.

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi se ka lëshuar një urdhër që detyron Kurtin, që në cilësinë e dëshmitarit, të japë dëshminë e tij në një rast që ka të bëjë me dyshimet për shpërdorime me rezervat shtetërore. Kryeministri nuk është paraqitur pas dy ftesave nga Prokuroria, në muajt e fundit.

Disa herë, Albin Kurti ka thënë se nuk i refuzoi ftesat, por këmbëngul që dëshminë ta japë në Kryeministri. Zyra e tij dërgoi kërkesë në Gjykatën Themelore, duke i kërkuar këtij institucioni ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.

Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën, pa përmendur ndonjë emër. Ndërkaq, refuzimin për të shkuar në Prokurori e arsyeton me deklaratën se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror që kinse, kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni”. Në të njëjtën linjë me të është edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Për të, kërkesa e Prokurorisë ndaj Kurtit është politike. Haxhiu reagoi më 26 shkurt dhe pa përmendur emra e pa dhënë ndonjë dëshmi në lidhje me pretendimet e bëra, u shpreh:

Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik. Por, më duhet të them, kurrë më politik nuk ka qenë. Duke qenë se nuk kanë mundur të na ndalin me veprime në Kuvend, opozita, ose dikush nga analistët në studiot televizive, kanë zgjedhur me Prokurorinë Speciale, por nuk mund të na ndalin.

Në vitin 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që drejtohet nga Rozeta Hajdari, e cila gjatë paraqitjes për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale, zgjodhi që të mbrohet në heshtje.