Bota

A e dini se nënat gjermane fitojnë 30 mijë euro më pak se gratë pa fëmijë?!

Humbja e të ardhurave për gratë pas lindjes së fëmijës së parë në Gjermani është dukshëm më e madhe se sa ishte menduar më parë, sipas një studimi të Qendrës Leibniz për Hulumtime Ekonomike Europiane (ZEW). Studimi, i realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Tilburgut në Holandë, tregon se në vitin e katërt pas lindjes, nënat fitojnë mesatarisht rreth 30 mijë euro më pak se gratë e së njëjtës moshë që nuk kanë fëmijë, krahasuar me 20 mijë euro dallim që tregonin të dhënat e mëparshme.

Humbjet ndryshojnë gjithashtu sipas moshës së gruas kur lind fëmijën e parë. Studimi, i realizuar me 186 mijë nëna, tregon se gratë që bëhen nënë për herë të parë nën 30 vjeç, përveç humbjes së të ardhurave, humbasin edhe mundësi të rëndësishme karriere, veçanërisht në fazën fillestare të punës. Nga ana tjetër, gratë që bëhen nënë më vonë zakonisht kanë përparuar në karrierë dhe kanë treguar aftësitë e tyre në tregun e punës. Për këtë arsye, humbjet absolute të të ardhurave për to mund të jenë më të mëdha, për shkak të reduktimit të orëve të punës, por afatgjatë e kanë më të lehtë të kthehen në karrierë, sipas bashkautorëve të studimit, përfshirë Lukas Riedel.

Në një kohë kur të gjithë mendojnë se fëmijët janë burimi kryesor i stresit në një familje, një studim i realizuar nga “Today” ka treguar të kundërtën. Burrat janë burimi më i madh i stresit për gratë. Më shumë se 7,000 nëna nga SHBA morën pjesë në një anketë dhe intervistë, ku shumica e tyre vlerësuan nivelin e stresit me një mesatare prej 8.5 në një shkallë nga 1 në 10.

Ajo që e bëri studimin më të habitshëm ishte se gati gjysma e grave pranuan se burri i tyre ishte shkaktari kryesor i stresit, më shumë se vetë fëmijët. Një studim tjetër nga Universiteti i Padovës në Itali mbështet këtë përfundim. Sipas tij, shëndeti i burrave përkeqësohet pas vdekjes së grave të tyre, ndërsa gratë shpesh përmirësojnë gjendjen e tyre shëndetësore pas vdekjes së burrit. Studiuesit vërejnë se gratë përballen më mirë me stresin dhe depresionin kur janë vetëm sesa kur bashkëjetojnë me bashkëshortët e tyre.