Dhimbja e dhëmbit përshkruhet si e padurueshme dhe ndryshe nga dhimbjet e tjera, dhe shpesh herë ajo ndihet më fort natën.
Kjo ndodh pasi, sipas ekspertëve, kur trupi shtrihet, gjaku qarkullon më shpejt drejt kokës, duke shkaktuar presion të shtuar në zonat e ndjeshme të gojës.
Ky fenomen e bën dhimbjen të duket më intensive gjatë natës, duke e vështirësuar edhe gjumin.
Pozicioni horizontal i trupit mund të përkeqësojë simptomat dhe të shkaktojë një dhimbje që është e papërballueshme për shumë njerëz.
Nëse dhëmbi dhemb natën, ekspertët sugjerojnë që të kërkoni shkaqet e mundshme të problemit dhe të vizitoni dentistin sa më shpejt që të mundeni. Megjithatë, deri sa të mund të merrni ndihmën profesionale, mund të provoni disa kura të shpejta.
Një nga mënyrat tradicionale për të lehtësuar dhimbjen është përdorimi i rakisë. Një gllënkë raki mund të përdoret për të bërë gargarë ose për ta mbajtur në anën ku ndjeni dhimbjen. Kjo mund të sjellë një lehtësim të përkohshëm, pasi alkooli ka efekt anestetik, megjithatë nuk ka fuqinë për të luftuar bakteret.
Për më tepër, ilaçet kundër inflamacionit si ibuprofeni mund të ofrojnë një zgjidhje të shpejtë dhe efikase për të reduktuar dhimbjen dhe inflamacionin.
Një tjetër sugjerim është të mbani kokën të ngritur ndërsa jeni shtrirë, për të reduktuar presionin e gjakut. Po ashtu, shmangni ushqimet acidike, të ftohta ose të forta para gjumit dhe mund të provoni të vendosni diçka të ftohtë në anën e dhëmbit që dhemb për një lehtësim të shpejtë.