Plotësimi i një pazëlli të vështirë padyshim që angazhon shumë zona të trurit, por edhe gjenetika dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës luajnë rolin e tyre. “Kjo është një deklaratë shumë e fortë,” paralajmëron Roxi Carare, profesoreshë e neuroanatomi klinike në Universitetin e Southampton-it. “Një mënyrë më e përshtatshme për ta thënë është: pazëllët ndihmojnë në vonimin e shfaqjes dhe përkeqësimit të simptomave të demencës.”
Demenca është një term i përgjithshëm për sëmundjet që çojnë në rënie të funksioneve njohëse. Disa lloje të saj janë lidhur me pastrim të dobët të mbetjeve nga truri. “Sa herë që kryejmë një detyrë, zona e trurit që është përgjegjëse për atë detyrë ka nevojë për më shumë gjak,” thotë Carare.
Kjo e detyron enët e gjakut të hapen dhe të ushqejnë trurin. Kur ndodh kjo, ato gjithashtu ndihmojnë në pastrimin e mbetjeve. Që të dy këto procese të funksionojnë siç duhet, muret e enëve të gjakut duhet të jenë fleksibël.
Bërja e një pazëlli stimulon qarkullimin e gjakut, edhe në enët e gjakut që janë pak të dëmtuara, gjë që ndihmon në ruajtjen e funksioneve. Gjenetika, sëmundje si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe diabeti, si dhe zakonet e dëmshme si duhanpirja dhe dieta e varfër, mund të çojnë në ngurtësimin e këtyre mureve, duke e bërë trurin më pak efikas në marrjen e lëndëve ushqyese dhe në largimin e toksinave.