Vitaminat luajnë një rol thelbësor në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve, por ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tyre pa kontroll mund të sjellë pasoja negative për shëndetin.
Sipas specialistëve, nevoja për vitamina fillon që në fazën e shtatzënisë dhe vazhdon gjatë gjithë fëmijërisë.
Vitaminat më të rëndësishme për këtë fazë janë A, B, C, D, E dhe K – të cilat kontribuojnë në forcimin e sistemit imunitar, zhvillimin e kockave dhe funksionet njohëse.
Megjithatë, mjekët theksojnë se këto vitamina duhet të merren në mënyrë natyrale përmes ushqimit të balancuar. Marrja e tyre në formë suplementi këshillohet vetëm në raste të veçanta si mungesa e oreksit, infeksionet e shpeshta apo ushqyerja jo e mjaftueshme.
Është e gabuar t’u japësh fëmijëve vitamina pa qenë nevoja
-thonë ekspertët, duke shtuar se te fëmijët që ushqehen shëndetshëm, nuk ka rrezik për mungesë vitaminash.
Përkundrazi, marrja e panevojshme e tyre, sidomos e atyre që treten në yndyrë si A, D, E dhe K, mund të çojë në akumulim të dëmshëm në trup dhe sëmundje të ndryshme.
Simptomat që mund të tregojnë mungesë vitaminash përfshijnë lodhje të vazhdueshme, mungesë oreksi, vështirësi në përqendrim, probleme me shikimin, infeksione të shpeshta dhe ndryshime në shëndetin oral apo në flokë.
Ndërkohë, vitaminat janë të domosdoshme edhe për shëndetin e dhëmbëve. Ato kontribuojnë në formimin dhe forcimin e smaltit, duke ndihmuar në parandalimin e kariesit dhe sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve.
Specialistët këshillojnë që prindërit të konsultohen gjithmonë me mjekun përpara se të japin ndonjë suplement vitaminash fëmijëve të tyre.