Aktualitet

Agravon situata në Durrës, protestuesit dhe dy deputetët e PD tentojnë të futen me forcë në Bashki!

Është tensionuar situata në Durrës, teksa një grup protestuesish, mes tyre dhe deputetët e PD Oerd Bylykbashi dhe Arjan Ndoja, kanë tentuar të futen me forcë në Bashkinë e qytetit.

Protesta nisi pasditen e sotme, nën thirrjet “Durrësi, skenë e krimit”, “shpallni gjendjen e emergjencës”, në lidhje me situatën e shkaktuar nga përmbytjet. Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi ata e kanë nisur protestën e tyre nga rrethrrotullimi pranë burgut për të vijuar marshimin drejt bashkisë së Durrësit.

Sipas protestuesve, përmbytjet janë pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimeve me fondet dhe jo fatkeqësi natyrore.

Sot në Durrës u shënua viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar, Astrit Hysenaj, ka humbur jetën pasi e ka marrë rrjedha e kanalit në zonën e ish-repartit ushtarak. Trupi i pajetë u gjet nga polumbarët e Reneas. Lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë toke dhe duke rrethuar banesat në Katund të Ri.Në këtë zonë, si edhe në Sukth ka nisur evakuuimi i banorëve.

LEXO EDHE: Bllokohet Fuoristrada me 3 persona në malet e Gramshit! Nisin kërkimet!

Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatra të Krujës: Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në Shijak ka prani uji në 15 banesa.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, ka bërë me dije se 35 persona janë evakuar në Katund të Ri dhe 55 të tjerë në Sukth, për shkak të përmbytjeve.

Sako foli edhe për vdekjen e punonjësit të komunales, 54-vjeçari Astrit Hysenaj, i cili dyshohet se humbi jetën për shkak të motit të keq. Kryebashkiakja tha se sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë orarit të punës.