Kryetari i ‘Partisë Mundësia’, Agron Shehaj në një takim me qytetarët dhe sipërmarrësit në Elbasan, tha se ka shumë sipërmarrës të rinj të cilët kanë iniciativën për të rritur biznesin dhe për ta bërë eksportues, por një ndër vështirësitë që hasin është kursi i këmbimit dhe vlera e euros.
Shehaj tha se ai propozon adaptimin e euros në Shqipëri ashtu siç e kanë Kosova dhe Mali i Zi, si një ndihmë për bizneset eksportuese. Shehaj njoftoi se sot pritet dhe prezantimi i kandidatëve të partisë “Mundësia”.
“Këtu, sot në Elbasan erdhëm dhe vizituam një tjetër qytetar që kërkon t’ia dali me punë. Eshtë një biznes që prodhojnë çanta kartoni për bizneset shqiptare dhe të huaja, një histori suksesi. Historia e shumë sipërmarrësve të vegjël e të mëdhenj që kërkojnë t’ia dalin me punë dhe që në fakt do donin ta rrisnin biznesin e tyre, por fatkeqësisht nuk kanë kushtet. Sepse shteti nuk është në krah të tyre por vetëm sa i pengon.
Një nga problemet kryesore të bizneseve eksportuese është luhatja e kursit të këmbimit. Një sipërmarrës nuk bën dot një biznes plan, nuk parashikon dot të ardhurat për vitet e ardhshme sepse nuk e di se sa do të jetë vlera e euros. Se për efekt të pastrimit të parave, vlera e euros ka rënë dhe ka vënë në vështirësi shumë eksportues. Propozimi ynë për adaptimin e euros në Shqipëri ashtu siç e ka Kosova dhe Mali i Zi, do të ishte një ndihmë shumë e madhe për eksportuesit të cilët nuk do ta vrisnin mendjen dhe nuk do shqetësoheshin më për vlerën e prodhimit, shitjeve të tyre sepse do prodhonin me të njëjtën monedhë me të cilën kishin edhe koston e prodhimit.
Sot në orën 18:00, në Tiranë kemi prezantimin e kandidatëve të partisë ‘Mundësia’, në degën nr.5″, njoftoi Shehaj.