Aksident me pasojë vdekjen e një turisti të huaj në aksin Lezhë-Shkodër, pranë kryqëzimit të fshatit Gjadër. Raportohet se viktima i cili udhëtonte me motor humbi kontrollin dhe u përplas me një automjet. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, për fat të keq ndërroi jetë në vendngjarje duke mos arritur t’iu mbijetonte plagëve të rënda. Policia nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit rrugor, më i fundit që përgjak rrugët tona.

Rreth mesnate, një tjetër aksident i rëndë u raportua po në rrugën Lezhë-Shkodër, te degëzimi i parë në hyrje të Lezhës. Një taksi u përplas me një mjet kamion që mblidhte mbeturinat në zonë. Për pasojë, shoferi i taksisë mbeti i bllokuar në makinë dhe u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin e Lezhës.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i për muajin maj 2025, janë regjistruar 130 aksidente rrugore, duke e çuar numrin total për pesëmujorin Janar–Maj në 531, në mbarë vendin. Megjithëse ka një rritje të lehtë të aksidenteve krahasuar me prillin, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vërehet një ulje me mbi 14% si në numrin e aksidenteve, ashtu edhe në të aksidentuarve. 185 në maj, mes tyre drejtues mjetesh, pasagjerë dhe këmbësorë.
Mbi 90% e aksidenteve janë shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve, shpesh për shkak të shpejtësisë, mungesës së vëmendjes apo shkeljeve të sinjalistikës.
Mosha më problematike vazhdon të mbetet 25–44 vjeç, ndërsa për herë të parë, raporti gjinor tregon një rritje të përfshirjes së femrave si drejtues mjeti në aksidente, krahasuar me vitin e kaluar. Pamjet që shoqërojnë statistikat janë të zakonshme: rrugë të ngarkuara, semaforë të shpërfillur, si dhe shpejtësi të pakontrolluara në segmentet urbane e interurbane.
Në mesin e sezonit turistik dhe me fluksin e automjeteve, rreziku për aksidente rritet, ndaj po zbatohet forcim i kontrolleve rrugore, sidomos në zonat bregdetare dhe pikat hyrëse në qytete të mëdha. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për periudhën Janar–Maj 2025, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 661 aksidente rrugore, me një ulje prej 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.