Aktualitet

Aksident tragjik në Lezhë/Babai e vajza humbën jetën pasi makina ra në kanal!

Një aksident rrugor i mori jetën një babai dhe vajzës së tij në Lezhë. Ngjarja fatale u shënua në aksin dytësor Lezhë–Kakarriq, kur automjeti me të cilin udhëtonin dyshohet se doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në një kanal anësor, duke u zbuluar me vonesë, pasi u konstatua vetëm në orët e vona të mbrëmjes.

Zbulimi i ngjarjes erdhi pas shqetësimit të ngritur nga familjarët. Të alarmuar nga mungesa e gjatë e kontaktit telefonik dhe vonesa e të afërmve të tyre për t’u kthyer në banesë, ata kishin nisur kërkimet. Paralelisht, një patrullë e policisë, pikasi makinën e përmbysur në kanal gjatë kontrollit në zonë.

Me të mbërritur në vendngjarje, forcat e shpëtimit dhe policia bënë të mundur ndërhyrjen tek mjeti, por fatkeqësisht konstatuan se dy personat që ndodheshin brenda kishin ndërruar jetë. Trupat e pajetë u nxorën nga automjeti i shkatërruar dhe u dërguan drejt morgut.

Ekspertët kryen matjet dhe këqyrjen e terrenit për të zbardhur rrethanat e shkaqet e plota që çuan në daljen fatale të mjetit nga rruga.