Aktualitet

Aksidentoi këmbësoren dhe u largua, pranga drejtuesit të një zetori në Sarandë!

Një 77-vjeçar u arrestua nga policia e Sarandës pasi aksidentoi rëndë një këmbësore dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Aksidenti u shënua një ditë më parë në fshatin Metoq, ku duke drejtuar zetorin pa leje drejtimi, i moshuari përplasi një 52-vjeçare, e cila mori dëmtime të rënda. E lënduara u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi policor: 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 77 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, pasi më datë 11.04.2025, në rrugën e fshatit Metoq, duke drejtuar pa leje drejtimi një mjet bujqësor (zetor), ka aksidentuar këmbësoren P. Z., 52 vjeçe, banuese në fshatin Gjashtë, e cila si pasojë e aksidentit është dëmtuar rëndë.

Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë. Shtetasja e dëmtuar ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Lidhur me shkeljet e rregullave të qarkullimit në rrugët e vendit, në pranga ra edhe një 43-vjeçar pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi zyrtar: 

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin S.Zh., 43 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 11.04.2025, është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në aksin rrugor Vlorë-Kotë. Materialet procedurale për të dy rastet i kaluan Prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.

Viti 2025 ka nisur me ulje të ndjeshme të numrit të aksidenteve rrugore. Pas janarit, edhe shkurti ka shënuar më pak aksidente se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas INSTAT-it, në shkurt ndodhën 88 aksidente rrugore në Shqipëri duke rezultuar në 122 të aksidentuar, përfshirë të vrarë e të plagosur.

Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore pësoi ulje prej 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 81,8% të aksidenteve, shkaqet kryesore janë të lidhura me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmoshat më të prekura nga aksidentet janë ata të moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9% të numrit të aksidenteve.

Dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shkurt, me 20,5%, ndërsa dita e diel ka qenë dita me numrin më të ulët të aksidenteve, me 9,1%.  Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 19,3% të aksidenteve gjithsej.

Pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, akoma mbeten shumë faktorë që kërkojnë vëmendje për të reduktuar më tej numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë rrugore.