Aksident rrugor me 1 viktimë në Moravë të Beratit. Nga përplasja e dy makinave ndërroi jetë drejtuesi i njërës prej tyre. Një 50 vjeçar u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe për fat të keq nuk mundi t’iu shpëtojë dëmtimeve të rënda. Në timonin e automjetit tjetër ishte një 31 vjeçar.
Njoftimi zyrtar:
Informacion paraprak/Rreth orës 07:30, në fshatin Moravë, janë përplasur automjeti me drejtues shtetasin F. P., 31 vjeç, me automjetin me drejtues shtetasin E. I., 50 vjeç. Si pasojë është dëmtuar 50-vjeçari, i cili është në kujdesin e mjekëve, aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po punon në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Viti 2025 ka nisur me ulje të ndjeshme të numrit të aksidenteve rrugore. Pas janarit, edhe shkurti ka shënuar më pak aksidente se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Sipas INSTAT-it, në shkurt ndodhën 88 aksidente rrugore në Shqipëri duke rezultuar në 122 të aksidentuar, përfshirë të vrarë e të plagosur.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore pësoi ulje prej 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 81,8% të aksidenteve, shkaqet kryesore janë të lidhura me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmoshat më të prekura nga aksidentet janë ata të moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9% të numrit të aksidenteve.
Dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shkurt, me 20,5%, ndërsa dita e diel ka qenë dita me numrin më të ulët të aksidenteve, me 9,1%. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 19,3% të aksidenteve gjithsej.
Pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, akoma mbeten shumë faktorë që kërkojnë vëmendje për të reduktuar më tej numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë rrugore.