Rajoni

Aksion policor në Prizren pas dyshimeve për shpërdorim të votave të 28 dhjetorit!

Operacion në rajonin e Prizrenit, lidhur me dyshimet për shpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, siç konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti. Mehmeti nuk dha hollësi të tjera, duke thënë se ato do të bëhen të ditura pas përfundimit të aksionit.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.

Betimi për Drejtësi, i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë raportoi se mbi 100 komisionerë janë thirrur për t’u marrë në pyetje dhe se priten arrestime. Ky aksion vjen pas dyshimeve se ka pasur manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, më 28 dhjetor 2025.

Madje, kjo e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të nisë rinumërimin e plotë të votave, që është duke vazhduar prej disa ditësh. Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas, në rinumërimin e pjesshëm zbuloi se dallimet në vota ishin të mëdha.

Për pasojë, prokurorët filluan të mblidhnin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime të mundshme me vota. KQZ-ja shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin komunal në Prizren. Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burg.

Megjithatë, organizata joqeveritare “ÇOHU”, publikoi një studim që tregoi se mbi 90% e rasteve të manipulimeve zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba. Shumë kandidatë për deputetë të cilëve iu janë hequr vota gjatë rinumërimit, mohuan të kenë pasur gisht në shpërdorim duke thënë se e dënojnë këtë dukuri.