Aktorja e njohur ukrainase Katheryn Winnick edhe pse ka lindur në Kanada, atdheu i saj është Ukraina. Ylli i “Big Sky”, ka lindur nga prindër ukrainas, flet gjuhën ukrainase dhe ka qenë në një shkollë ukrainase për 16 vjet. Ajo së fundmi u shpreh për “Fox News” se:
Jam shumë krenare që jam ukrainase. Ne kemi tradita dhe kulturë shumë të ndryshme dhe shpirti ukrainas është i paepur, ka një këmbëngulje shumë të fortë.

Teksa trupat ruse po pushtojnë Ukrainën, aktorja vlerësoi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky si një udhëheqës të vërtetë.
Jam shumë krenare që ai është lideri që kemi. Ai e kupton luftën tonë, se ne jemi të fortë dhe do të luftojmë deri në vdekje për të mbrojtur atë që është e jona dhe është shtëpia jonë. Dua që bota të shohë, ky është një hero i vërtetë. Ky është një udhëheqës i vërtetë që e bashkon botën dhe po nxjerr në pah Ukrainën tonë. Ai po qëndron me njerëzit e tij. Ai është i gatshëm të luftojë deri në vdekje.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka fituar një pëlqim global teksa lufton për të mbrojtur vendin e tij pas pushtimit të Rusisë. Nga ana tjetër, ka mijëra fansa që po bëjnë thirrje për një film për politikanin 44-vjeçar që të prodhohet nga Hollywood. Madje e kanë gjetur edhe protagonistin që do të interpretojë Zelensky-n, aktorin Jeremy Renner.

Artistja i kërkoi botës që t’i kushtojë vëmendje dhe të qëndrojë me Ukrainën sepse kjo nuk është vetëm një luftë për Ukrainën, por është me të vërtetë një luftë për të gjithë Evropën. Ndërkaq, rikujtojmë se së fundmi Ruslana Stepanivna Lyzhychko, këngëtarja ukrainase e cila fitoi zemrat e publikut gjatë fitores së saj në Eurovizion në vitin 2004 në një komunikim për mediat e huaja ka folur për pushtimin rus në atdheun e saj.