Aktorja e “James Bond”, Naomie Harris, ka shprehur mbështetjen e saj për Regé-Jean Page si pasardhësin e Daniel Craig në rolin e 007. Harris, e njohur për rolin e Eve Moneypenny, tha për “Harper’s Bazaar UK” se Regé-Jean Page ka një stil dhe elegancë që e bën atë një kandidat ideal për rolin e James Bond-it. Gjatë intervistës, ajo u shpreh skeptike për ndryshimet e mundshme që Amazon mund t’i sjellë ekskluzivitetit të Bond-it, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së elementeve klasike të sagës.
Harris foli gjithashtu për eksperiencën e saj me nominimin për “Oscar” në 2017 për filmin “Moonlight”, duke pranuar se nuk e kishte dëshiruar atë proces. “Ishte si një fushatë politike”-tha ajo, duke zbuluar se për pak kishte menduar të largohej nga aktrimi pas presionit të madh të promovimit të filmit. Ndërkohë, spekulimet për James Bond-in e ardhshëm vazhdojnë, me emra si Aaron Taylor-Johnson, Theo James dhe Idris Elba mes pretendentëve kryesorë. Pavarësisht thashethemeve për një ndryshim radikal në karakterin e Bond-it, Amazon ka konfirmuar se ai do të mbetet mashkull dhe britanik.
Nëse bazojmë në përgjigjet e përdoruesve në rrjetet sociale, Henry Cavill duket të jetë zgjedhja më e pëlqyer. Ish-ylli i Superman, i cili ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur Bond, ishte kandidat serioz edhe në audicionet për “Casino Royale” në 2006, por humbi përballë Daniel Craig për shkak të moshës së tij së re atëherë. Tani, në moshën 41-vjeçare, mund të jetë ironikisht i “moshuar” për këtë rol, duke qenë se Amazon mund të kërkojë një aktor më të ri për të realizuar disa filma radhazi.
Ndër emrat e tjerë të përmendur shpesh janë Tom Hardy, Aaron Taylor-Johnson dhe Idris Elba. Taylor-Johnson, i cili ka qenë pjesë e spekulimeve të shumta, ishte përfolur madje se kishte marrë ofertën për rolin, por asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Një tjetër emër i fuqishëm në këtë garë është James Norton, i cili është bërë i njohur për rolet e tij në “Happy Valley” dhe “McMafia”. Ai e ka cilësuar spekulimin mbi rolin e tij si Bond si “të çuditshëm dhe argëtues”.