Në një nga magazinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në fshatin Vaqarr të Tiranës po zhvillohet procesi i hapjes së kutive të materialeve të votimit sipas kërkesës së Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) pas ankimimit të koalicionit Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura.
Në total do të rinumërohen 229 kuti në të gjithë vendin, ku raportimi për fletë të papërdorura ka qenë zero. Procesi do të zhvillohet sipas rendit të mëposhtëm: Vlorë; Dibër; Gjirokastër; Korçë; Lezhë; Shkodër; Fier; Berat; Durrës; Tiranë; Elbasan.
Teksa hapja e kutive u bë me kërkesë të PD-së, përfaqësues të saj nuk ndodhen në ambientet ku po verifikohen kutitë për të vëzhguar nga pranë procesin.
Në një tjetër zhvillim, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, (KAS) rrëzoi ankimimin e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore për shpalljen e pavlefshmërisë së rezultatit në qarkun Kukës për parlamentaret e 11 Majit. Pas zhvillimit të 4 seancave, sot dha vendimin duke rrëzuar kërkesën e PD-ASHM/së, me argumentimin se nuk kishte prova të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e rinumëruar kutitë.
Anëtari i KAS-it Ilirjan Rusmali:
Detyra jonë nuk ka qenë të përcaktojmë a janë të vërteta apo jo të gjitha faktet e parashtruara në shqyrtimin e kërkesës të qarkut Kukës. Detyra jonë ka qenë që midis morisë së fakteve, të identifikonim ato fakte të cilat kanë lidhje me kërkesën për pavlefshmëri zgjedhjesh. Për këtë të fundit, ne duhej të verifikonim nëse provohej vërtetësia e tyre. Pas kësaj, duhet të verifikonim se sa dhe si këto të fundit kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Ky komponent ka shumë rëndësi sepse siç e përcakton Kolegji Zgjedhor në një nga vendimet e veta të dikurshme, nëse nuk provohet ndikimi mbi zgjedhjet gjithçka mbetet në kuadrin e një hipoteze. Vendimi ynë nuk duhet të bazohet mbi hipoteza, por duhet të bazohet mbi prova.
Në shqyrtimin e kësaj çështjeje, ne kemi pasur një avantazh se nga temat e trajtuara në debatin që u zhvillua këtu në seancë ne i kemi trajtuar edhe më përpara, jo vetëm kur kemi pasur përballë ankuesin, por edhe kur kemi pasur përballë subjekte të tjera.
Rusmali shtoi se në vendimin e arsyetuar “ne do t’i referojmë këto raste të vendimeve tona të mëparshme me qëllim që publiku i interesuar të kuptojë se për ne standardi i gjykimit është prioritet i prioriteteve, se për ne nuk ka rëndësi kë kemi përballë, por çfarë kemi përballë”.