Rajoni

Akuzat për spiunazh në favor të Serbisë, në Prishtinë nis gjyqi ndaj 2 të akuzuarve!

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, sot u deklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzat për spiunazh, në seancën paraprake kundër tyre në Gjykatën Themelore në Prishtinë. I pyetur nga gjykatësi Rrahman Beqiri se si deklarohet, Bedri Shabani u shpreh:

Jam plotësisht i pafajshëm.

Bedri Shabani akuzohet se i ka dhënë informata Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij, vitin e kaluar. Dyshohet se e ka ndihmuar BIA-n duke i dhënë informata dhe dokumente lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrën e Reçakut, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencën (AKI) dhe Policinë e Kosovës, referuar aktakuzës.

Ka dyshime se këto informata ia dorëzoi një zyrtari të lartë të BIA-s, i cili mendohet se ishte drejtues i operacionit ushtarak të Serbisë në masakrën e Reçakut. Për këtë ka shfrytëzuar komunikime telefonike, postën elektronike dhe takime fizike në territorin e Serbisë.

Ndërkohë, Muharrem Qerimi vuri në dukje para gjykatësit se ai nuk e pranon fajësinë për veprën penale të spiunazhit. Përveç dhënies së informatave për UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe AKI-në, Qerimi akuzohet se i dërgoi BIA-s edhe të dhëna në lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale. Ai e pranoi fajësinë për akuzën e dytë me të cilën ngarkohet e që është armëmbajtje pa leje.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Shabanit e Qerimit, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit. Ata u arrestuan në qershor të vitit të kaluar në qytetin e Ferizajt dhe prej asaj kohe janë mbajtur në paraburgim.

Seanca fillestare për ta duhej të ishte zhvilluar javën e kaluar, por u shty për më 17 mars, pasi njëri nga të akuzuarit kërkoi më shumë kohë për ta kuptuar aktakuzën, para se të bënte deklarimin rreth fajësisë.