Krijuesit e “Stranger Things”, Matt dhe Ross Duffer, janë vënë në qendër të polemikave pas publikimit të dokumentarit “One Last Adventure: The Making of Stranger Things 5”, i cili u transmetua më 12 janar. Një detaj i vogël në pamje ka mjaftuar për të ndezur debat të madh mes fansave të serialit.
Në rrjetet sociale, shikues të vëmendshëm pretendojnë se në një skenë të dokumentarit shihet një ekran kompjuteri me skeda të hapura të ChatGPT, duke ngritur dyshime se inteligjenca artificiale mund të jetë përdorur gjatë procesit të shkrimit të sezonit të pestë, madje edhe për finalen e shumëdiskutuar të serialit.
Këto pretendime erdhën në një moment delikat, pasi fundi i “Stranger Things” është kritikuar nga një pjesë e audiencës për mungesë kulmi emocional dhe mbyllje jo bindëse të historisë.
Për shumë fansa, pamjet nga dokumentari u bënë “prova” që, sipas tyre, shpjegojnë pse finalja u ndje e çuditshme dhe e papërfunduar.
Vëllezërit Duffer përdorën ChatGPT për të shkruar sezonin e pestë. Tani e kuptojmë pse finalja nuk funksionoi
-shkroi një përdorues në rrjete sociale.
Një tjetër shtoi:
ChatGPT dhe Reddit për fundin e serialit? Nuk është çudi që gjithçka u duk e shpërndarë
Deri më tani, Matt dhe Ross Duffer nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre akuzave. Megjithatë, në vetë dokumentarin, ata pranojnë se puna për sezonin e fundit u zhvillua nën presion ekstrem.
Sipas tyre, drejtuesit e prodhimit kërkonin skenarë ndërkohë që xhirimet kishin nisur, duke e bërë këtë fazë më stresuesen e karrierës së tyre.
“Stranger Things”, që nisi në vitin 2016 dhe përfundoi në vitin 2025, u kthye në një fenomen global dhe në një nga prodhimet më të suksesshme të Netflix, duke lançuar emra si Millie Bobby Brown dhe Finn Wolfhard.
Megjithatë, debati i fundit tregon se edhe pas përfundimit, seriali vazhdon të ngjallë emocione të forta, këtë herë, jo vetëm nostalgji, por edhe dyshime dhe zhgënjim.