Platforma e njohur e transmetimit Netflix u përball sërish me probleme serioze teknike, pikërisht në momentin më të shumëpritur nga fansat: publikimin e episodit final të serialit legjendar “Stranger Things”.
Seriali përfundoi zyrtarisht në prag të Vitit të Ri, pas pesë sezonesh të transmetuara përgjatë gati një dekade. Episodi i fundit i sezonit të pestë, i titulluar “Kapitulli Tetë: Ana e djathtë lart”, u publikua në orën 17:00 sipas kohës së Paqësorit, por gëzimi i fansave zgjati shumë pak.
Vetëm disa minuta pas daljes së episodit, mijëra përdorues nga e gjithë bota raportuan se nuk mund ta nisnin shikimin. Në ekran shfaqej një mesazh gabimi, ndërsa sistemi i kthente automatikisht në faqen kryesore të Netflix.
Situata shkaktoi zemërim dhe zhgënjim masiv, me rrjetet sociale që u mbushën me ankesa dhe reagime ironike nga fansat.
Sipas informacioneve jozyrtare, bllokimi dyshohet se erdhi si pasojë e fluksit jashtëzakonisht të madh të shikuesve që tentuan të ndiqnin finalen në të njëjtën kohë, duke mbingarkuar serverat e platformës. Netflix nuk reagoi menjëherë me një sqarim zyrtar, ndërsa shërbimi u rikthye gradualisht pas një periudhe.
Për shumë fansa, përfundimi i “Stranger Things” do të mbahet mend jo vetëm për emocionet e fundit të historisë, por edhe për kaosin teknik që shoqëroi mbylljen e një prej serialeve më të suksesshme të viteve të fundit.