Showbiz

Akuzohej se kënga “Akull” ishte e vjedhur, flet për herë të parë Capital T

Capital T prej pak kohësh u shkëput nga rrjetet sociale për të përfunduar xhirimet e projektit të tij më të ri muzikor “Akull”.

Menjëherë pas publikimit kjo prurje u bë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve moderne shqiptare ku falë votave dhe mbështetjes së publikut për këtë javë renditet në vendin e 4-t.

Megjithatë, “Akull” është përballur jo me pak kritika pasi fansat mendojnë se kjo këngë është e vjedhur. Shumë dëgjues kanë ngjetur ngjashmëri mes saj dhe kolonës zanore të një filmi bollivudian që quhet “Ek Villain”.

Sikur të mos mjaftonte kjo, pas publikimit në kanalin YouTube, “Akull” u bllokua për të drejtat e autorit duke u gjetur përballë mundësisë se këngëtari mund të kishte shfrytëzuar në mënyrë të padrejtë muzikën e dikujt tjetër.

Në një intervistë për “Nin”, Capital T ka folur për herë të parë rreth kësaj çështjeje duke sqaruar një herë e mirë situatën.

“Kemi pasur një problem, realisht, me zërin indian në këngë. Ajo është kolona zanore e një filmi indian, që unë nuk e kam ditur. Unë e kam blerë këngën prej producentit, e nuk e kam ditur që ai e ka përdorur në atë mënyrë, nuk ka marrë leje. Kështu që kompania në fjalë, që kishte të drejtat për atë këngë, një prej më të fortave në Youtube, e bllokoi momentalisht projektin dhe kanë dërguar e-mail, kanë treguar kush janë dhe arsyen pse e kanë bllokuar.” -tha ai gjatë intervistës.