Bota

Alarm global! OBSH shpall emergjencë ndërkombëtare për Ebolën në Kongo, 80 viktima

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e virusit Ebola në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos si emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, mes frikës për përhapjen e virusit në vendet fqinje.

Sipas OBSH-së, deri tani janë raportuar rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 viktima, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri real i të infektuarve mund të jetë më i lartë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se ekziston “pasiguri e konsiderueshme” mbi përhapjen reale të virusit dhe shtrirjen e tij gjeografike.

Shpërthimi aktual lidhet me variantin Bundibugyo të Ebolës, për të cilin aktualisht nuk ka vaksina apo trajtime të miratuara. OBSH ka konfirmuar tetë raste laboratorike, ndërsa raste të tjera të dyshuara janë raportuar në qytetin Bunia dhe zonat minerare Mongwalu e Rwampara në provincën Ituri.

Virusi tashmë ka kaluar kufijtë e Kongos, pasi dy raste të konfirmuara janë raportuar edhe në Uganda. Një burrë 59-vjeçar rezultoi pozitiv përpara se të humbiste jetën, duke rritur shqetësimet për përhapjen rajonale të epidemisë.

Ekspertët shpjegojnë se Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore dhe mund të shkaktojë gjakderdhje të rëndë, dështim organesh dhe vdekje. Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë të lartë, lodhje, dhimbje muskujsh dhe koke, ndërsa më pas shfaqen të vjella, diarre dhe hemorragji.

Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1976 në territorin që sot njihet si RD e Kongos. Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në vend, ndërsa OBSH vlerëson se shkalla mesatare e vdekshmërisë nga virusi arrin rreth 50%.