Gossip Showbiz

Alarm në “Tomb Raider”! Xhirimet ndalen papritur pasi Sophie Turner pëson dëmtim?

Xhirimet e serialit “Tomb Raider” janë pezulluar përkohësisht, pasi aktorja kryesore Sophie Turner ka pësuar një dëmtim të lehtë.

Sipas një deklarate zyrtare nga Amazon MGM Studios, produksioni është “ngrirë” si masë paraprake për t’i dhënë aktores kohën e nevojshme për rikuperim.

Sophie Turner kohët e fundit pësoi një dëmtim të lehtë. Si masë paraprake, produksioni është pezulluar përkohësisht për t’i dhënë kohë të rikuperohet. Mezi presim të rifillojmë xhirimet sa më shpejt të jetë e mundur

-thuhet në deklaratë.

Seriali, që po zhvillohet për platformën Prime Video, është një projekt ambicioz i krijuar nga Phoebe Waller-Bridge, e njohur për suksesin e saj me “Fleabag”.

Megjithëse nuk është bërë e ditur nëse dëmtimi ndodhi gjatë xhirimeve, burime pranë produksionit bëjnë të ditur se ndërprerja pritet të zgjasë rreth dy javë, ndërsa ekipi do të vazhdojë të paguhet normalisht gjatë kësaj kohe.

Seriali është një adaptim i videolojës së famshme “Tomb Raider” dhe ndjek aventurat e arkeologes legjendare Lara Croft.

Në kast bëjnë pjesë emra të njohur si Sigourney Weaver dhe Jason Isaacs, ndër të tjerë, ndërsa regjinë e mban Jonathan Van Tulleken.