Një paralajmërim shqetësues ka ardhur nga NASA, ku ekspertët e mbrojtjes planetare kanë ngritur alarmin për mijëra asteroidë të pazbuluar që mund të përbëjnë kërcënim serioz për Tokën.
Sipas shkencëtarëve, disa prej këtyre shkëmbinjve gjigantë mund të jenë në gjendje të shkatërrojnë një qytet të tërë në rast përplasjeje me planetin tonë.
Kelly Fast, oficere në detyrë për mbrojtjen planetare në Zyrën e Koordinimit të Mbrojtjes Planetare të NASA-s, deklaroi se shqetësimi më i madh lidhet me asteroidët që ende nuk janë identifikuar.
Ata që më mbajnë zgjuar natën janë asteroidët që nuk i dimë
-u shpreh ajo.
Sipas vlerësimeve të astronomëve në vitin 2018, rreth 91% e objekteve pranë Tokës me diametër mbi një kilometër janë identifikuar, por të paktën 50 asteroidë të kësaj madhësie mbeten ende të pazbuluar. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për një kërcënim edhe më të madh nga asteroidët më të vegjël, të cilët janë më të vështirë për t’u zbuluar.
Bëhet fjalë për asteroidë me diametër rreth 152 metra, të cilët konsiderohen mjaftueshëm të vegjël për të kaluar pa u vënë re nga teleskopët, por njëkohësisht mjaftueshëm të mëdhenj për të shkaktuar dëme të mëdha rajonale. Sipas raportimeve të The Times, këta asteroidë njihen si “vrasës qytetesh” për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.
Shkencëtarët vlerësojnë se rreth 25 mijë asteroidë të tillë kalojnë pranë Tokës, ndërsa vetëm 40% e tyre janë identifikuar deri tani. Ata janë veçanërisht të vështirë për t’u zbuluar, pasi lëvizin në orbitë të ngjashme me Tokën rreth Diellit dhe nuk reflektojnë lehtësisht dritën.
Për të përmirësuar monitorimin e tyre, studiuesit planifikojnë të vendosin një teleskop hapësinor në vitin 2027, i cili do të përdorë sinjale termike për të zbuluar asteroidët e fshehur dhe për të parandaluar rreziqet e mundshme për planetin.