Bota

Projekti i cili synon të sjellë dritën e Diellit edhe gjatë natës!

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar testimin e një sateliti eksperimental që synon të reflektojë dritën e Diellit mbi Tokë edhe pas perëndimit, në një projekt që mund ta kthejë natën në ditë për zona të caktuara. Sipas publikimit ZME Science, Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) autorizoi më 9 korrik kompaninë kaliforniane Reflect Orbital të lëshojë satelitin Eärendil-1, i pajisur me një pasqyrë reflektuese rreth 18 metra të gjerë.

Projekti synon të drejtojë rrezet e Diellit drejt zonave të zgjedhura të Tokës edhe gjatë natës, duke krijuar atë që kompania e quan “dritë dielli sipas kërkesës”. Sipas kompanisë, teknologjia mund të përdoret për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndriçimin e zonave të goditura nga fatkeqësitë natyrore, kantierëve të largët, rritjen e prodhimit bujqësor dhe zgjatjen e kohës së funksionimit të fermave diellore.

Në fazën e parë, sateliti do të ofrojë vetëm ndriçim të përkohshëm, por vizioni afatgjatë i Reflect Orbital është shumë më ambicioz. Kompania planifikon të vendosë në orbitë më shumë se 5 mijë satelitë deri në vitin 2030 dhe mbi 50 mijë deri në vitin 2035, duke krijuar një rrjet që do të mund të rregullojë intensitetin e dritës, nga ndriçimi i ngjashëm me Hënën deri në dritën e plotë të ditës.

Megjithatë, projekti ka hasur në kundërshtimin e komunitetit shkencor. Astronomët paralajmërojnë se një flotë kaq e madhe satelitësh mund të dëmtojë rëndë vëzhgimet astronomike, duke krijuar objekte shumë të ndritshme në qiell dhe duke lënë gjurmë në imazhet e teleskopëve. Sipas një studimi të Observatorit Evropian Jugor (ESO), nëse realizohet plani për 50 mijë satelitë, qielli i natës mund të bëhet tre deri në katër herë më i ndritshëm, ndërsa shumë vëzhgime astronomike mund të bëhen të pamundura.