Aktualitet

“Largojnë stresin”, rikthehen kontrollorët shqiptarë, Balluku: Dështoi pengmarrja!

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha se Albcontrol tashmë është rikthyer në punë në normalitet të plotë.

Balluku bëri me dije se kontrollorët i janë përgjigjur apelit të qeverisë duke rimarrë detyrën, ndërsa thotë se plani i pengmarrjes dështoi.

Ndërkohë në një postim të shkurtër në rrjete sociale Ministrja Balluku thekson se drejtësia do të zbardhë deri në fund ngjarjen.

Postimi

Albcontrol në normalitet të plotë. Kontrollorët e kthyer në përgjigje të apelit tonë jane në krye të detyrës. Drejtësia të zbardhë deri në fund ngjarjen e rëndë. Plani i pengmarrjes dështoi.


Bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit nisi mëngjesin e së mërkurës, për shkak të revoltës së punonjësve të trafikut ajror të kompanisë “AlbControl” në funksion të aeroportit, që kundërshtonin përgjysmimin e pagave.

Ndërkohë dje nisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore, ku erdhën edhe një pjesë tjetër e vaksinave kineze, rreth 100 mijë doza të Sinovac.

Nga e gjithë situata e krijuar, janë ndaluar me urdhër nga Prokuroria e Tiranës, kreu i sindikatës, Armando Fezga, përgjegjësja e turnit Flora Ndreca dhe kontrollori Muhin Mezini, pas kallëzimit në Prokurori nga “AlbControl”,si nxitës të bllokimit të punës.