Rajoni

Albin Kurti: Këtë javë nisin diskutimet për qeverinë në Kosovë!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se këtë javë do të nisë diskutimet për qeverisjen qendrore. Presidentja Vjosa Osmani e mandatoi Kurtin për të formuar ekzekutivin e ri, pas konstituimit të parlamentit më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiçit nënkryetar nga komuniteti serb.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi më shumë vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jo mjaftueshëm për ta formuar e vetme kabinetin qeveritar. Si datë prezantimi përmendi 26 tetorin.

Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë, i duhet një mandat i ri i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit sivjet. Unë si kryeministër në detyrë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar dhe duhet të kemi mandat të rregullt, i cili padyshim se do të fillojë sapo ta nxjerrim në kuvend përbërjen e re Kurti 3.

Në momentin që vlerësojmë se komunikimet kanë rezultuar të suksesshme, ne nuk e presim 26 tetorin, por ai është afati i fundit, deklaroi Kurti, duke mos dashur të japë hollësi se me cilat parti mund të jetë duke diskutuar mbi ndonjë koalicion të mundshëm qeveritar.

Nuk mund të flas më shumë në këtë fazë. Nëse nuk ka qeveri të re Kurti 3, pa asnjë dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare.

Ditë më parë, Albulena Haxhiu nga partia e Kurtit tha se LVV-ja mund të diskutojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndonjë koalicion të mundshëm, pasi Nisma Socialdemokrate nuk ka qenë e interesuar të përfshihet në qeverisje.

Haxhiu e përjashtoi një koalicion të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Pas mandatit të dhënë nga Osmani, Kurti ka 15 ditë që të propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Kabineti duhet të sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e detyruar që brenda 10 ditëve të ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike e të vendosë, sipas vlerësimit të saj, për të mandatuarin e ri.

Nëse qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që të mbahen 40 ditë prej shpalljes së vendimit. Kryeministri në detyrë Kurti i bëri këto deklarata një ditë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në 38 komunat e Kosovës. Sipas tij, partia Vetëvendosje shënoi rezultatin më të mirë në nivel lokal.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LVV-ja fitoi në Podujevë, Kamenicë, Shtime, ndërsa do ta vazhdojë garën në balotazh, në 12 komuna të tjera.

Për njohësit e çështjeve politike, asnjë prej partive nuk arriti dominim të plotë. Dalja në këto zgjedhje ishte rreth 40%, pak më e vogël se më 2021-shin. Në total, 21 komuna i zgjodhën kryetarët në raundin e parë, ndërsa 17 tjera do të organizojnë balotazhin më 9 nëntor. Procesi zgjedhor u zhvillua i qetë, pa incidente të mëdha.