Aktualitet Rajoni

Albin Kurti thellon diferencën, PDK forcë e dytë, e ndjek LDK/ Numërohen 23% e votave!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar 23% të votave.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje kryeson ndaj rivalëve të tjerë.

Rezultatet sipas KQZ-së:

Vetëvendosja 55.77%

PDK 25.39%

LDK 8.99%

AAK- Nisma 5%.

Mbi 1 milion e 970 mijë votues u thirrën të votojnë sot (9 shkurt) në Kosovë për të zgjedhur parlamentin e ri dhe kabinetin e ri qeveritar. Zgjedhjet shihen si një referendum për kryeministrin Albin Kurti, i cili është kritikuar edhe nga zyrtarë të administratës së mëparshme amerikane për veprimet, që janë cilësuar si të pakoordinuara, në veriun e Kosovës.

Votimi i sotëm përcakton se kush do të udhëheqë palën kosovare në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë.  Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës. Procesi i votimit i cili ishte dhe nën vëzhgimin e vendasve dhe ndërkombëtarëve nisi në orën 07:00 dhe u mbyll në orën 19:00 ishte i qetë. Nuk u shënua asnjë incident domethënës, ndërsa 8 persona u arrestuan për krime zgjedhore.

Në orën 20:00 KQZ raportoi se nga procesimi i mbi 90% të qendrave të votimit, pjesëmarrja rezulton 40.04% (nuk përfshihet vota e diasporës), 6.86% më pak se në vitin 2021. Shikuar në përqindje ka pjesëmarrje më të ulët të daljes në votime në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para katër vjetësh. Po ashtu, dalja është më e ulët se në vitin 2019.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 794 mijë e 862 qytetarë. Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces zgjedhor ka qenë 48,78 % apo 903,379 votues. Ndërkaq, në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 dalja në votim ishte 44.56 për qind apo 826,916 mijë qytetarë.

Pjesëmarrja e ulët nxiti kryeministrin Albin Kurti të bënte thirrje për të votuar dhe dy orë para se të mbylleshin qendrat e votimit

Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.