Kompania amerikane Amazon ka njoftuar se tre qendra të saj të të dhënave në Lindjen e Mesme janë dëmtuar nga sulme me dronë, në kuadër të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit. Dy prej objekteve në Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur drejtpërdrejt, ndërsa një tjetër në Bahrein është dëmtuar nga një shpërthim në afërsi. Kompania bëri të ditur se sulmet kanë shkaktuar dëme strukturore dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Si pasojë, disa shërbime të platformës Amazon Web Services, përfshirë EC2, S3 dhe DynamoDB, janë prekur përkohësisht. Amazon theksoi se po bashkëpunon me autoritetet lokale dhe se prioritet mbetet siguria e stafit. Kompania paralajmëroi se rikuperimi mund të zgjasë, duke rekomanduar që klientët të bëjnë kopje rezervë të të dhënave dhe të konsiderojnë zhvendosjen e sistemeve në rajone të tjera.
Rikujtojmë se aksionet e kompanisë Amazon u tregtuan ndjeshëm më poshtë pasi kompania sinjalizoi plane për shpenzime agresive në fushën e inteligjencës artificiale. Aksionet ranë pothuajse 5 për qind deri në mbyllje të tregut dhe shënoi një tjetër rënie prej 7 për qind në seancën pas mbylljes së tregut. Më herët, Amazon njoftoi shpenzime kapitale masive rreth 200 miliardë dollarë për vitin 2026 në fushën e inteligjencës artificiale.
Investitorët u shqetësuan se investimet e mëdha të kompanisë në infrastrukturën e inteligjencës artificiale do të ushtronin presion mbi marzhet e fitimit në afat të shkurtër. Shitja e aksioneve në sektorin e teknologjisë tërhoqi gjithashtu poshtë edhe lojtarë të tjerë të mëdhenj të industrisë pas njoftimeve të ngjashme për shpenzime. Kjo rënie shënoi një nga uljet më të mëdha brenda një dite për kompaninë në muajt e fundit.