Ambasada e SHBA në Tiranë u ka bërë apel qytetarëve që të mos shkojnë në Amerikë me vizë turistike për të lindur fëmijë dhe për të siguruar shtetësinë.
Kjo mund të çojë deri në refuzimin e vizës, theksohet në njoftim.
“Përdorimi i vizës turistike për të udhëtuar kryesisht me qëllimin për të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për të siguruar shtetësinë për fëmijën tuaj nuk lejohet dhe mund të çojë në refuzimin e vizës”, sipas ambasadës.
Ambasada Amerikane në Tiranë, ka reaguar në një postim në rrjetet sociale në lidhje me prindërit që përdorin vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën.
“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë.
Ky njihet si “turizmi i lindjes” dhe oficerët konsullorë të ShBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të SHBA. Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.
jo është një mënyrë më shumë se si Departamenti Amerikan i Shtetit po u shërben dhe mbron taksapaguesit dhe komunitetet amerikane”, njofton ambasada.
Urdhri ekzekutiv i zotit Trump synon përmbushjen e një premtimi të fushatës presidenciale, por suksesi i tij është i pasigurt, në kushtet kur e drejta e shtetësisë në bazë të lindjes është e parashikuar në kushtetutën amerikane.
Prokurorët e përgjithshëm të shteteve me shumive demokrate dhe avokatët e të drejtave të emigrantëve thonë se çështja e shtetësisë përmes lindjes është e garantuar me ligj dhe megjithëse presidentët kanë autoritet të gjerë, ata nuk janë monarkë.
“Presidenti nuk mundet të shfuqizojë Amendamentin e 14-të me një të rënë të lapsit, pikë!”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Nju Xhersit, Matt Platkin.
Shtëpia e Bardhë tha se është gati të përballet me shtetet në gjykatë dhe i quajti paditë “asgjë më shumë se pjesë e rezistencës së së majtës”.
“Të majtët radikalë ose mund të zgjedhin të refuzojnë vullnetin dërrmues të popullit, ose mund të bashkohen me ne dhe të punojnë me Presidentin Trump”, tha zëvendëssekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.
Prokurori i Përgjithshëm i Konektikatit, William Tong, një shtetas amerikan i natyralizuar dhe prokurori i parë kinezo-amerikan i një shteti amerikan i zgjedhur në vend, tha se padia ishte personale për të.