Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar mesazhin e sekretares së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Kristi Noem, e cila paralajmëron kundër emigracionit të paligjshëm. Në këtë mesazh në rrjetin social Instagram, Noem thekson se hyrja në mënyrë të paligjshme në SHBA, “as nuk duhet menduar”. Më tej, vë në dukje se vetëm ndjekja e ligjit, aplikimi dhe përdorimi i saktë i një vize pune, studentore ose emigrimi mund të sigurojnë një qëndrim në SHBA.
Nëse vini në vendin tonë dhe shkelni ligjet tona, ne do t’ju ndjekim. Kriminelët nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara. Për një kohë të gjatë, udhëheqja e dobët i ka lënë kufijtë tanë të hapur, duke përmbytur komunitetet tona me drogë, trafikim të qenieve njerëzore dhe kriminelë të dhunshëm. Ato ditë kanë mbaruar.
Nën Presidentin Trump, ne po mbrojmë familjet amerikane dhe po rivendosim sigurinë e tyre. Nëse po përpiqeni të hyni në mënyrë të jashtëligjshme do të kapeni. Do të hiqeni dhe nuk do të ktheheni më kurrë. Ndiqni ligjin dhe do të gjeni mundësi. Nëse e thyeni, do të keni pasoja.
Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur një përpjekjeje të gjerë për të goditur emigracionin e jashtëligjshëm në SHBA dhe ky ishte një zotim i përsëritur vazhdimisht prej tij, që para se të merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, duke u rikthyer për një mandat të dytë presidencial.