Ambasadori i ri i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Dragan Shutanovac, i dorëzoi presidentit amerikan, Donald Trump letrat kredenciale në Shtëpinë e Bardhë dhe e ftoi për një vizitë në Beograd. Në një postim në rrjetet sociale, Shutanovac tha se gjatë takimit me Trump-in diskutuan mbi mundësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në fusha si: energjia, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe mbrojtja.
Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, biseduam për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. I kujtova presidentit Trump se asnjë president amerikan nuk e ka vizituar Serbinë që nga viti 1980 dhe e ftova që ta ndryshojë këtë, shkroi Shutanovac.
Sipas diplomatit, mesazhi i këtij takimi ishte i qartë:
Ta bëjmë sërish madhështor partneritetin strategjik serbo-amerikan, një shprehje që i referohet sloganit të njohur të fushatës së Trump-it.
Ambasadori Shutanovac vuri në dukje se Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësi bashkëpunimi në disa drejtime me rëndësi strategjike, përfshirë energjinë, inteligjencën artificiale, projektet infrastrukturore e fushën e mbrojtjes.
Sipas tij, këta sektorë përfaqësojnë potencial për investime konkrete, shkëmbim njohurish dhe përparim teknologjik, por edhe për lidhje më të thella mes institucioneve e kompanive të të dyja vendeve.
Referuar raportimeve të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), presidenti i fundit amerikan që ka vizituar Beogradin ishte Jimmy Carter, në vitin 1980, pra 45 vjet më parë.