Aktualitet

Ambasadori Soreca, apel për lirinë e medias!

“Numri në rritje i kërcënimeve dhe sulmeve offline dhe online ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias gjatë viteve të fundit dëshmon nevojën urgjente për të garantuar një siguri më të mirë dhe mbrojtjen e gazetarëve në përputhje me standardet europiane”.

Kjo u theksua gjatë diskutimit publik me temë “Siguria dhe mbrojtja e gazetarëve: ndarja e standardeve dhe adresimi i sfidave të përbashkëta” të mbajtur sot në Tiranë.
Veprimtaria mblodhi gazetarë të njohur, anëtarë të Parlamentit, përfaqësues të lartë të gjyqësorit, agjencive të zbatimit të ligjit, organeve të barazisë dhe shoqërisë civile për të diskutuar sfidat kryesore në lidhje me mbrojtjen e gazetarëve dhe masat mbrojtëse të rëndësishme për punën e tyre.

Në fjalën e tij hapëse, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca deklaroi:

Gazetarët duhet të ndihen të sigurta për të punuar. Pa lirinë e medias, thjesht nuk ka shoqëri të lira dhe demokratike. Liria e shprehjes dhe e medias janë standardet kryesore me të cilat BE vlerëson vendet kandidate, progresin drejt anëtarësimit në BE.

Raporti vjetor i Komisionit Europian 2021 për Shqipërinë ka ngritur një numër shqetësimesh në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend, duke përfshirë edhe sulmet verbale, fushatat e shpifjeve dhe aktet e frikësimit kundër gazetarëve. Kjo duhet të ndryshojë! Duhet të ketë një politikë të tolerancës zero për frikësimin dhe sulmet kundër gazetarëve.

Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës, Jutta Gützkow, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet publike dhe rolin e tyre për të siguruar një mbrojtje më të mirë për gazetarët.

Diskutimi publik kishte për qëllim përfshirjen e mëtejshme të autoriteteve shqiptare në takimet ndërkombëtare, standardet për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e masave mbrojtëse, për të siguruar që ata të mund të punojnë në mënyrë të sigurtë.

Një broshurë e përgatitur nga Qendra ‘Res Publica’ u ofron gazetarëve dhe medieve këshilla të aktorëve, si të jenë proaktivë dhe të përdorin mekanizmat ekzistues, përfshirë ato ligjore, për të siguruar mbrojtje. Hulumtimi tregon se shumë raste të frikësimit dhe ngacmimit nuk raportohen pjesërisht sepse profesionistët e medias nuk janë të vetëdijshëm se ekzistojnë mekanizma të tillë.

Ky aktivitet organizohet nga Qendra “Res Publica” me mbështetjen e aksionit “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Shqipëri” (JUFREX 2), pjesë e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Programi i Evropës “Mjeti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.