Bota

Amerika kryen sulme ndaj ISIS-it në Nigeri!

Presidenti Donald Trump tha se forcat amerikane kanë kryer sulme “të fuqishme dhe vdekjeprurëse” ndaj grupit ekstremist, Shteti Islamik, në veriperëndim të Nigerisë, disa javë pasi paralajmëroi kundër çdo sulmi sistematik ndaj të krishterëve në këtë shtet.

Ministria e Punëve të Jashtme e Nigerisë konfirmoi sulmet ajrore, duke i përshkruar si “goditje preçize ndaj objektivave terroriste” në vend. Pak detaje janë dhënë për sulmet dhe është e paqartë se sa njerëz u vranë.

Trump shtoi se paraprakisht ka paralajmëruar këta terroristë se nëse nuk ndalojnë masakrimin e të krishterëve, “ata do të përballen me ferrin”.

GËZUAR KRISHTLINDJEN të gjithëve, përfshirë terroristëve të vrarë e të tillë do të ketë edhe më shumë nëse vazhdon masakrimi i të krishterëve, shkroi Trump në rrjetin social, Truth Social.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes postuan një video që duket se shfaq një sulm me raketa të kryer gjatë natës nga një luftanije. Ky ishte sulmi i parë i kryer nga forcat amerikane në Nigeri gjatë presidencës së Trumpit dhe vjen pasi udhëheqësi amerikan tha se të krishterët po përballen “me krizë ekzistenciale” që përbën “gjenocid”, teksa ky shtet i Afrikës Perëndimore po përballet me konflikte të armatosura.

Qeveria e Nigerisë dhe analistët e pavarur refuzojnë të përshkruajnë tensionet si persekutim fetar. Por, duke vënë në pah atë që administrata e tij e quan “persekutim global të të krishterëve”, Trump theksoi muajin e kaluar se Uashingtoni është i gatshëm të ndërmarrë veprime ushtarake në Nigeri për të kundërshtuar këto vrasje.

Ministria e Jashtme e Nigerisë deklaroi se vendi është i angazhuar me partnerët ndërkombëtarë. Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, përmes një postimi në X u shpreh “mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë nigeriane”.

Këtë vit, Amerika e riktheu Nigerinë në listën e vendeve me “shqetësim të veçantë” sa i përket lirisë fetare dhe ka kufizuar lëshimin e vizave për shtetasit nigerianë. Muajin e kaluar, Trump kërcënoi me ndalimin e plotë të ndihmave për Nigerinë nëse “vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve”.

Nigeria është pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë me shumicën myslimane që jeton në veri dhe në jugun e banuar kryesisht me të krishterë. Prej më shumë se 15 vjetësh, verilindja e vendit  përballet me dhunën e grupit islamist Boko Haram, dhunë që ka lënë të vdekur më shumë se 40 mijë persona dhe ka detyruar 2 milion të tjerë të zhvendosen.

Po ashtu, pjesë të mëdha të veriperëndimit, veriut dhe pjesës qendrore të Nigerisë janë goditur nga banda kriminale të njohura si “banditë”, që sulmojnë fshatra, duke vrarë e rrëmbyer banorë. Të mërkurën, një shpërthim goditi një xhami në Maiduguri, në verilindje të Nigerisë, duke vrarë të paktën shtatë besimtarë. Asnjë grup i armatosur nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.