Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. prezantoi udhëzimet e reja dietike të SHBA-ve, të cilat iu bëjnë thirrje amerikanëve të konsumojnë më shumë proteina e të kufizojnë ushqimet shumë të përpunuara, si edhe sheqerin e shtuar.
Udhëzimet, që publikohen çdo pesë vjet nga departamentet e Bujqësisë dhe të Shëndetësisë e Shërbimeve Njerëzore, sugjerojnë gjithashtu tre racione në ditë të produkteve të qumështit me yndyrë të plotë e lehtësojnë kufizimet për pijet alkoolike.
Këto udhëzime përbëjnë bazën e programeve federale të ushqyerjes, përfshirë ato të vakteve shkollore. Ndërkaq, kanë marrë reagime të përziera nga ekspertët.
Mesazhi im është i qartë: hani ushqim të vërtetë, tha Kennedy në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Në përgjithësi, rekomandimet nxisin konsumimin e proteinave, produkteve të qumështit me yndyrë të plotë, drithërave integrale të pasura me fibra, si dhe frutave e perimeve.
Po ashtu, këshillojnë shmangien e sheqernave dhe ushqimeve shumë të përpunuara, përfshirë snack-et e parapaketuara si patatinat, biskotat dhe karamelet.
Theksi mbi produktet e qumështit me yndyrë të plotë përbën një ndryshim nga udhëzimet e mëparshme, të cilat sugjeronin qumësht me pak yndyrë ose pa yndyrë, për të kufizuar konsumin e yndyrave të ngopura.
Udhëzimet rekomandojnë gatimin me vajra si i ullirit, por sugjerojnë edhe dhjamin e viçit si një alternativë.
Ndryshimet e përgjithshme u mirëpritën nga disa ekspertë, përfshirë Shoqatën Mjekësore Amerikane, që ka kritikuar disa nga veprimet e Kennedy-t që nga marrja e detyrës.