Rajoni

Anija e fundosur në Greqi, vijojnë operacionet e kërkimit/79 viktima, qindra të zhdukur!

Shkon në 79 numri i personave që humbën jetën nga fundosja e anijes me emigrantë, një ditë më parë në brigjet e Greqisë jugore. 104 vetë shpëtuan. Të mbijetuarit dhe zyrtarët grekë thonë se qindra emigrantë të tjerë ndodheshin në bord e vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur. Vijon një operacion kërkim-shpëtimi, por vështirësohet nga erërat e forta.

Qeveria greke tha se kjo është një nga tragjeditë më të rënda me emigrantë në Greqi dhe shpalli tre ditë zie. Anija u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylosit, ndërsa autoritetet e rojës bregdetare deklaruan se ekuipazhi i saj kishte refuzuar ndihmën e ofruar më herët.

Në ujërat ndërkombëtare, mjeti lundrues u pikas të martën në mbrëmje nga një avion i agjencisë kufitare të BE-së, Frontex. Askush në bord nuk kishte jelek shpëtimi.

Nga mediat greke, mësohet se autoritetet kontaktuan me anijen përmes telefonit satelitor në disa raste e ofruan ndihmë, por në mënyrë të përsëritur iu tha:

Ne nuk duam asgjë më shumë se të shkojmë në Itali.

Më vonë, rreth orës 01:40 të së mërkurës dikush njoftoi rojet bregdetare greke se motori i anijes nuk po funksiononte. Menjëherë pas kësaj, u përmbys dhe në 10-15 minuta u fundos plotësisht.

Alarm Phone, linjë ndihmëse emergjente për emigrantët në det tha se që përpara se të dërgohej ndonjë ndihmë, roja bregdetare ishte në dijeni se gjendja nuk paraqitej e mirë.

Autoritetet ishin informuar nga burime të ndryshme se anija ishte në telashe. Njerëzit mund të kenë qenë të frikësuar të merreshin me autoritetet greke sepse ishin të vetëdijshëm për praktikat e tmerrshme dhe sistematike të vendit.

Anija udhëtonte nga Libia në Itali dhe shumica e atyre që gjendeshin në bord kanë qenë djem rreth të 20-tave.

Ata kishin udhëtuar për ditë të tëra. Të mbijetuarit treguan për rreth 500 deri në 700 persona në bord dhe drejtori rajonal i shëndetësisë, Yiannis Karvelis paralajmëroi tragjedi të paprecedentë.

Numri i njerëzve në bord ishte shumë më i lartë se kapaciteti që duhet të lejohej për këtë anije, të fundosur në një nga pjesët më të thella të Mesdheut.

Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou vizitoi disa nga të mbijetuarit dhe shprehu dhimbjen për çfarë ndodhi.

Çdo vit, qindra njerëz vdesin duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun. Në shkurt, një varkë me emigrantë u përmbys pranë Cutros në rajonin e Kalabrisë në Italinë jugore. Të paktën 94 vetë humbën jetën në një nga ngjarjet më vdekjeprurëse të regjistruara në këtë rajon.