I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologu Eduart Tafa, për të folur mbi ankthin. Çfarë është ankthi dhe cilët janë shkaktarët e tij? Ja këshillat e psikologut…
Çfarë këshille mund t’i jepni dikujt që ka gjendje ankthi dhe mendon se do të çmendet?
Është e rëndësishme që çdokush që na dëgjon, ta dijë që ankthi ka zgjidhje. E para, nuk përbën rrezik. E dyta, është një instinkt mbijetese dhe vetëmbrojtës. Dhe në momentin që ai person ka mendimet e tij më ekstreme, mendime që janë në intensitetin më të lartë tek ai, që mendon se mund të çmendet, që mund t’i bie një infarkt në zemër, që mund të vdesë, sikur do të ndodhë e keqja, absolutisht asnjëra prej këtyre nuk ndodh. Vetë truri dhe trupi kanë mekanizma shumë të fortë integrues për të mbrojtur jetën e tij. Madje, jo vetëm që nuk ndodh asnjëra nga këto, por në atë moment ai është më i mbrojturi nga çdo gjë, sepse ka një modalitet. Kur një person përjeton një panik, duket sikur mund të jetë fundi i ekzistencës së tij në këtë moment, praktikisht truri po bën mbrojtjen e këtij në këtë moment. Pse? Sepse është një modalitet ‘fight or flight’ që në atë moment ndërvepron. Kur rrahjet e tij të zemrës janë në maksimum, tregon që zemra ka marrë një informacion, i cili mund të jetë i perceptuar, imagjinar, i gabuar, sikur ne kemi një rrezik. Dhe zemra në atë moment çfarë bën? Është motorri i trupit që bën shpërndarjen e gjakut në gjithë trupin, për t’i dhënë mundësi duarve dhe këmbëve, që në rast të atij rreziku të vërtetë, do ikte e do shpëtonte nga rreziku. pra, nëse ne do ishim në një rrezik të drejtpërdrejtë, të cilin ne e identifikojmë me sy, ky mekanizëm ne do të na mbronte. Si do të na mbronte? Sepse do iknim, nëse rreziku do ishte më i madh se ne. Nëse rreziku do ishte më i vogël, ne do luftonim. Në rastin e ankthit apo panikut, rreziku është imagjinar, pra është i perceptuar. Dhe për shkak se në këtë moment, ankthi i tij arrin në mënyrë intensive, pra intensitet shumë i lartë, ai trembet. Prandaj, sa herë që një person ka një gjendje ankthi të lartë apo gjendje paniku, nuk ka nevojë të bëjë asnjë veprim tjetër, vetëm të fillojë të bëjë teknikat e relaksimit. Teknika e relaksimit, që është një nga teknikat e para, por është një teknikë shumë efektive, është relaksimi nëpërmjet frymëmarrjes në atë moment që ai ka një rritje të frekuencës kardiake. Tek persona të ndryshëm, sipas metabolizmit, ndodh pak ndryshe reagimi i ankthit apo panikut. Disa e kanë me takikardi, me rritje të rrahjeve të zemrës. Disa e kanë me bratikardi, që duket sikur zemra ul rrahjet. Këta që e kanë me rritje, thonë që po i del zemra vendit, personat që e kanë me ulje, thonë që po i pushon zemra. Pra, në të dy rastet mund të kalojnë një sulm ankthi ose një sulm paniku. Një teknikë relaksimi në atë moment, do të bënte një qetësim për pak minuta. Edhe nëse personi nuk do të përdorte një teknikë relaksimi apo sido që të vepronte, nuk është se do i ndodhte ndonjë rrezik, por kjo adrenalina e çliruar në trupin e tij, do merrte kohën e vet deri sa të asimilohej dhe të dilte nga trupi.