Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e celularit. Xoxa është në “Detyrim për paraqitje” lidhur me akuzën e fshehjes së pasurisë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Veliaj i arrestuar më 10 shkurt dhe bashkëshortja, përfituan qindra mijëra euro ryshfet nga fondet e Bashkisë apo kompani kontraktore, përfitime të paligjshme që u injektuan dhe ‘pastruan’ nëpërmjet një rrjeti OJF-sh e kompanish të kontrolluara nga Xoxa.
Njoftimi i gjykatës:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 15.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 92, datë 08.04.2025 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses A.X., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 93, datë 20.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi kundërshtimin e vendimit të prokurorit për sekuestrimin e sendeve”, dhe vendosi:
· Miratimin e vendimit nr. 93 Akti, datë 20.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
· Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.