Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, sot rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për kthimin e celularit, që iu sekuestrua ditën e arrestimit, më 10 shkurt. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Bani, i cili po më 10 shkurt, firmosi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndërsa prokuror në seancë ka qenë Ols Dado, njëherazi prokurori i dosjes.
Më 12 shkurt, Gjykata e Posaçme la në fuqi vlerësimin e masave të sigurisë, arrestin me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, “arresti në shtëpi” është zëvendësuar me “Detyrim paraqitje” dy herë në muaj dhe “Ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Nuk kanë ndryshuar masat për 5 sipërmarrësit e përfshirë, nga të cilët Elman Abule mbetet në burg, ndërsa për të tjerët “Detyrimi për paraqitje”.
Veliaj dhe bashkëshortja akuzohen për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, ndërkohë Xoxa dyshohet dhe për “Mosdeklarim të pasurisë”.
Sipas Prokurorisë, provat dhe faktet e grumbulluara krijojnë dyshimin e arsyeshëm se bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i bashkisë Tiranë dhe bashkëshortja e këtij të fundit. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e tij të ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.
Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u karakterizua nga debate të forta mes Veliajt dhe njërit prej prokurorëve të çështjes, Ols Dado. Kryebashkiaku ka pretenduar se prokurori është nxitur nga motive personale, sepse atij i është mohuar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Veliaj kërkoi t’i hiqet “arresti me burg” kundrejt garancive pasurore, por kërkesa e tij nuk është marrë në konsideratë.
Jashtë gjykatës, mbështetës së Veliajt ishin grumbulluar që në mëngjes, para nisjes së seancës. Ndërsa në mbrëmje ata shoqëruan me brohoritje makinën e policisë, e cila po e largonte nga gjykata, duke mbajtur madje të bllokuar kalimin për pak minuta më 12 shkurt.