Përdorimi i celularit është kthyer në një zakon të pandashëm të përditshmërisë, por gjatë shtatzënisë ai po ngre gjithnjë e më shumë pikëpyetje mbi sigurinë dhe efektet që mund të ketë tek nëna dhe foshnja.
Kërkimet e kryera ndër vite kanë analizuar ndikimin e valëve elektromagnetike dhe sjelljet e lidhura me përdorimin e tepruar të pajisjeve, duke e mbajtur të hapur debatin mbi rrezikshmërinë e tyre.
Çfarë tregojnë studimet për valët elektromagnetike?
Telefonat celularë lëshojnë rrezatim radiofrekuence, një formë jo-jonizuese e rrezatimit që nuk krahasohet me rrezet X. Megjithatë, kërkimet më të fundit sugjerojnë se ekspozimi i gjatë dhe mbajtja e pajisjes afër barkut apo kokës mund të lidhet me:
-Rritje të stresit oksidativ, që mund të dëmtojë qelizat.
-Ndikim të mundshëm në zhvillimin neurologjik të fetusit.
-Probleme me gjumin te gratë shtatzëna, që mund të reflektohen edhe në mirëqenien e fetusit.
Ekspertët theksojnë se ende mungojnë prova përfundimtare, por rekomandojnë përdorim të kufizuar dhe të kujdesshëm.
Një studim i botuar në BMC Public Health zbulon se përdorimi i shpeshtë i celularit nga gratë shtatzëna lidhet me rritje të riskut për sjellje hiperaktive ose probleme me vëmendjen te fëmijët në vitet e para.
Edhe pse nuk provohet një lidhje direkte shkak-pasojë, shkencëtarët sugjerojnë të shmanget përdorimi i tepërt.
Si ndikon telefoni te shëndeti i nënës?
Përveç polemikave mbi rrezatimin, përdorimi i tepërt i telefonit sjell pasoja të drejtpërdrejta për nënën:
-Rritje të ankthit dhe stresit.
-Pagjumësi, sidomos nëse telefoni përdoret para gjumit.
-Probleme me qafën dhe shpinën, për shkak të qëndrimit të zgjatur në të njëjtin pozicion.
-Rënie të fokusit, gjë që mund të rrisë rrezikun e incidenteve të vogla gjatë shtatzënisë.
Ekspertët këshillojnë ruajtjen e distancës nga telefoni, përdorimin e kufjeve gjatë bisedave dhe kufizimin e kohës së qëndrimit para ekranit, masa të thjeshta që mund të mbrojnë si nënën, ashtu edhe zhvillimin e fetusit.