Aktualitet

“Detyrim për paraqitje”, Ajola Xoxa në SPAK!

Ajola Xoxa në SPAK. Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paraqit mëngjesin e sotëm për respektimin e detyrimit për paraqitje dy herë në muaj, masë sigurie që javën e kaluar iu caktua nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO.

Bazuar në vendimin e datës 12 shkurt, kur iu ndryshua masa nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim për paraqitje”, Xoxa ka edhe detyrimin për t’u paraqitur të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00.

Mësohet se avokati Ermir Beta ishte duke e pritur në mjediset e brendshme të SPAK-ut. Duke qenë se Xoxa shkoi më herët se orari që i ka caktuar gjykata, pritet të konfirmohet nëse është vetëm zbatim i urdhrit të Gjykatës së Posaçme që ka vendosur edhe ndalimin e saj për të dalë jashtë shtetit apo gjendet në SPAK edhe për arsye të tjera.

Veliaj dhe bashkëshortja akuzohen për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, ndërsa Xoxa dyshohet edhe për “Mosdeklarim të pasurisë”.

Sipas Prokurorisë, provat dhe faktet e grumbulluara krijojnë dyshimin e arsyeshëm se bëhet fjalë për një sistem të organizuar korrupsioni dhe shpërdorimi të fondeve publike, të shtrirë në kohë, sipas një skeme të vënë në funksionim nga kryetari i Bashkisë Tiranë e bashkëshortja. Në qendër të kësaj skeme korrupsioni dhe pastrimi të produkteve që burojnë nga kjo vepër, rezulton të jetë titullari i institucionit, nënshkrimi i të cilit ka qenë përcaktues për shpërndarjen e fondeve publike, prej të cilave ai dhe familjarët e ngushtë kanë përfituar drejtpërsëdrejti në mënyrë të parregullt.