Tech

Apple prezanton iPhone 17 Pro: modeli më i avancuar ndonjëherë! Sa do të kushtojë?

Apple ka prezantuar zyrtarisht iPhone 17 Pro, të cilin e përshkruan si “iPhone-in më të përparuar ndonjëherë”. Pajisja sjell përmirësime të mëdha në performancë, dizajn dhe kamera, duke synuar të vendosë standarde të reja në tregun e telefonave inteligjentë.

Modeli i ri fuqizohet nga çipi A19 Pro, që sipas Apple ofron deri në 40% më shumë performancë krahasuar me iPhone 16 Pro. Për të siguruar qëndrueshmëri gjatë përdorimit intensiv, ai përfshin një sistem të ri menaxhimi termik me dhomë avulli.

Në aspektin e qëndrueshmërisë, iPhone 17 Pro përdor Ceramic Shield 2 në pjesën e përparme dhe të pasme, si dhe një kornizë të re prej titani.

Kamerat sjellin ndryshimin më të madh: për herë të parë, të tre sensorët e pasmë janë 48MP, ndërsa lentja telefoto ka një sensor më të madh. Kamera e përparme kalon në 18MP, duke ofruar selfie dhe video-thirrje më të qarta.

Nga ana e dizajnit, modeli do të ofrohet në ngjyrat portokalli kozmike dhe blu të thellë, por reagimet e para online kanë qenë të përziera, sidomos për formën e re të “platosë” së kamerës së pasme.

Apple ka bërë ndryshime edhe në ruajtje dhe bateri: të gjitha modelet fillojnë nga 256GB hapësirë, ndërsa versionet vetëm me eSIM ofrojnë jetëgjatësi më të mirë të baterisë.

Çmimet zyrtare janë:

-iPhone 17: 799 dollarë

-iPhone 17 Air: 999 dollarë

-iPhone 17 Pro: 1,099 dollarë

-iPhone 17 Pro Max: 1,199 dollarë, me opsion të ri deri në 2TB.

Për blerësit që kërkojnë alternativa më të lira, iPhone 16e do të shitet me çmim të reduktuar prej 599 dollarësh. Të gjitha modelet e serisë 17 do të jenë në dispozicion për porosi paraprake nga kjo e premte, me lançim zyrtar më 19 shtator.