Tech

Apple prezanton iPhone 17 më 9 shtator! Cilat janë risitë kryesore dhe pajisjet që pritet të shfaqen?

Apple do të prezantojë zyrtarisht familjen e re iPhone 17 më 9 shtator, në një event që do të transmetohet drejtpërdrejt për publikun në internet.

Modelet e reja sjellin disa nga përmirësimet më të mëdha të viteve të fundit, duke nisur nga ekrani, performanca dhe deri tek kamerat.

Modeli bazë i iPhone 17 do të ketë një ekran më të madh 16 cm me 120Hz ProMotion, si dhe një kamerë të re ballore 24 MP, që zëvendëson sensorin 12 MP të mëparshëm. Të gjithë modelet do të pajisen me 12 GB RAM, duke përmirësuar ndjeshëm performancën në multitasking dhe përdorimin e veçorive të inteligjencës artificiale të Apple.

Karikimi pritet të dyfishojë shpejtësinë, me mbështetje për MagSafe deri në 45W, falë standardit të ri Qi 2.2.

Një surprizë e madhe është iPhone 17 Air, që do të jetë modeli më i hollë ndonjëherë i kompanisë, me trashësi vetëm 5.4 mm.

Megjithëse ka një bateri më të vogël prej 2,800 mAh dhe vetëm një kamerë të pasme 48 MP, ai vjen me çipin A19, modemin e ri C1 dhe një ekran 16.7 cm. Dizajni prej titani synon ta bëjë atë një opsion elegant dhe rezistent.

Për ata që kërkojnë teknologjinë më të avancuar, iPhone 17 Pro dhe Pro Max sjellin një sistem kamerash të ridizajnuar me lentë telefoto 48 MP, që mundëson zmadhim deri në 10x.

Modelet Pro gjithashtu do të mbështesin regjistrim video në 8K, Wi-Fi 7 dhe një ekran të ri më rezistent e anti-reflektues. Versioni Pro Max do të fuqizohet nga çipi A19 Pro me sistem ftohjeje të përmirësuar.

Përveç iPhone, Apple pritet të prezantojë edhe pajisje të tjera, përfshirë Apple Watch Series 11, Apple Watch Ultra 3 dhe një version të përditësuar të Apple Watch SE. Gjithashtu, mund të debutojë edhe AirPods Pro 3 dhe AirTag 2.

Megjithatë, disa pajisje do të mbeten jashtë këtij eventi. Apple TV 4K i ri me çipin A17 Pro, HomePod mini 2, si dhe M5 iPad Pro pritet të prezantohen në tetor. Edhe Vision Pro i ardhshëm nuk është pjesë e listës së shtatorit.

Eventi i 9 shtatorit shihet si një nga më të rëndësishmit e vitit për Apple, duke sjellë jo vetëm një gjeneratë të re iPhone, por edhe përforcimin e ekosistemit të saj me pajisje të reja.