Arkeologët në Egjipt kanë zbuluar një kopje të Iliadës së Homerit të shkruar në papyrus, brenda stomakut të një mumjeje në Al-Bahnas. Kjo është hera e parë që një tekst letrar grek është gjetur i ngulitur në procesin e konservimit dhe ky zbulim i veçantë arkeologjik do të hedhë dritë mbi praktikat e varrimit dhe jetën fetare në Egjiptin e lashtë. Sipas informacionit nga Independent, fragmenti i papirusit u zbulua në stomakun e një mumjeje, e cila ishte varrosur gjatë epokës romake në Oxyrhynchus, rreth 1,600 vjet më parë.
Oxyrhynchus, i njohur në kohën e faraonëve si Per-Menged, ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Egjiptit greko-romak. Rrënojat e tij ndodhen në qytetin e sotëm të Al-Bahnas, rreth 190 km në jug të Kajros, pranë degës së Nilit të njohur si Bahr Yusef. Studiuesit nga Instituti i Studimeve të Lindjes së Afërt të Lashtë në Universitetin e Barcelonës zbuluan mumjen gjatë një gërmimi të kryer midis nëntorit dhe dhjetorit 2025.
Megjithatë, ata zbuluan se mumja paraqiste një element të pazakontë, një papirus ishte vendosur në barkun e saj si pjesë e ritualit të balsamimit. Në të kaluarën janë zbuluar mumie egjiptiane nga ajo periudhë, të cilat mbanin papirus të shkruar në greqisht, por të gjitha përmbanin tekste me përmbajtje magjike ose rituale. “Kjo nuk është hera e parë që gjejmë papiruse greke, të lidhura, të vulosura dhe të përfshira në procesin e mumifikimit, por deri më tani përmbajtja e tyre ka qenë kryesisht magjike. Për më tepër, vlen të përmendet se që nga fundi i shekullit të 19-të, një numër i madh papirusësh janë zbuluar në Oxyrhynchus, duke përfshirë tekste letrare greke me rëndësi të madhe, por risia e vërtetë është gjetja e një papirusi letrar në një kontekst funerar”, tha Ignasi-Xavier Adiego, profesor në Departamentin e Gjuhëve Klasike, Romake dhe Semitike.