Bëhet e ditur se 40 majmunë kanë ikur nga një strukturë kërkimore në Karolinën e Jugut. Kamerat e imazhit termik dhe kurthe janë vendosur për të rikapur kafshët, të cilat ikën nga zona Alpha Genesis në Yemassee. “Banorët këshillohen fuqimisht të mbajnë dyert dhe dritaret të sigurta për të parandaluar hyrjen e këtyre kafshëve në shtëpi”-paralajmëroi policia. Ndërkohë, vendasve në Yemassee u është thënë që të mos iu afrohen majmunëve dhe të telefonojnë menjëherë policinë nëse i dallojnë.
Alpha Genesis thotë se ofron shërbime të kërkimit biologjik dhe kryen prova klinike, duke përfshirë trajtimet e sëmundjeve të trurit dhe standarde të larta të kujdesit për të gjitha kafshët. Kjo nuk është arratisja e parë nga Alpha Genesis, sipas mediave lokale, me 19 që thuhet se u çliruan në vitin 2016 përpara se të kapeshin sërish gjashtë orë më vonë.
Një studim i fundit ka treguar se majmunët i vendosin pseudonime njëri-tjetrit. Marmosetët përdorin thirrje të veçanta që quhen “phee” për t’u identifikuar dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Deri më tani, mendohej se vetëm njerëzit, elefantët dhe delfinët mund ta bënin këtë. Ky zbulim thekson kompleksitetin e ndërveprimit social te marmosetët dhe kjo mund të ndihmojë në zbërthimin e misterit të evolucionit të gjuhës njerëzore.
Ekipi kërkimor regjistroi bisedat mes çifteve të marmosetëve si dhe ndërveprimet mes majmunëve dhe një sistemi kompjuterik. Rezultoi se majmunët përdorin thirrjet “phee” për t’iu drejtuar individëve të ndryshëm. Gjithashtu ata mund të dallonin kur u drejtohej një thirrje dhe i përgjigjeshin më saktë. Anëtarët e së njëjtës familje përdorin etiketime zanore për individë të ndryshëm dhe tingëllime të ngjashme për të koduar emra të ndryshëm, njësoj si emrat dhe dialektet te njerëzit.