Bota Botë e Çuditshme

I nxehti përvëlues në Meksikë godet rëndë edhe majmunët, bien të ngordhur nga pemët!

Si pasojë e të nxehtit në Meksikë majmunët po bien të ngordhur nga pemët. Të paktën 138 “majmunë ulëritës”, një specie e njohur për thirrjet e tyre të veçanta dhe me zë të lartë, janë gjetur të ngordhur në shtetin Tabasco në Gjirin e Meksikës, ku temperaturat kanë kaluar 45 gradë.

Falë banorëve të zonës, pesë kafshë u transferuan me urgjencë në klinikat veterinare lokale, ku veterinerët po luftojnë për t’i shpëtuar nga dehidratimi dhe goditja e nxehtësisë. “Majmunët u sollën në gjendje kritike, të dehidratuar dhe me temperaturë. Këto janë simptoma të goditjes nga nxehtësia”-tha Dr.Sergio Valenzuela. Për shkak të valës së të nxehtit që nga marsi, të paktën 26 persona kanë vdekur dhe veterinerët pohojnë se vapa ka vrarë dhjetëra e ndoshta edhe qindra “majmunë ulëritës”.

Europa është kontinenti që po pëson ngrohjen më të shpejtë dhe temperaturat po rriten pothuajse sa dyfishi i mesatares globale. Në një raport të dy organizatave botërore të monitorimit të klimës, Organizata Meteorologjike e OKB-së dhe Agjencia e Klimës së Bashkimit Europian, thuhet se kjo ka sjellë edhe një rritje prej 30 për qind të vdekshmërisë. “Shkalla e vdekjeve nga moti i nxehtë është rritur me 30% në Europë në dy dekada,”-zbuloi raporti i përbashkët. Europianët po vuajnë nga nxehtësia gjatë ditës dhe janë të stresuar nga temperaturat e larta gjatë natës.

Raporti zbuloi se temperaturat në të gjithë Europën ishin mbi mesataren për 11 muajt e vitit 2023, duke përfshirë shtatorin më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve. Moti i nxehtë dhe i thatë nxiti zjarre të mëdha që shkatërruan fshatra dhe nxorën tym që mbyti qytetet e largëta. Zjarret me të cilat luftuan zjarrfikësit ishin veçanërisht të ashpra në vendet jugore të goditura nga thatësira si Portugalia, Spanja dhe Italia.